Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Vajzave

Data e Publikimit 24.10.2019

Më 11 tetor 2019, Programi “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” dhe Fondacioni IPKO kanë organizuar ngjarje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave. Moto e ngjarjes së këtij viti “Fuqia e vajzave: të jashtëzakonshme dhe të pandalshme” ngërthen idenë se duhet të lëvizet nga ëndrrat në vepra. 35 vajza nga shkollat partnere të Programit dhe Fondacionit Ipko morën pjesë në aktivitetet e organizuara në shënim të kësaj dite. Hapja e ngjarjes u bë në gjimnazin Xhevdet Doda në Prishtinë, me fjalimet nga drejtori i shkollës, koordinatorja e UNKT dhe ushtruesi i detyrës së USAID në Kosovë. Vajzat morën pjesë në 5 punëtori të ndryshme praktike mbi përdorimin e: printerit 3D, prerësit laserik, makinës qepëse të kompjuterizuar, elektronikë dhe punëtoria mbi klubet e karrierës. Të gjitha këto punëtori u udhëhoqën nga mësimdhënëset dhe nxënëset e gjimnazit “Xhevdet Doda”. Pos kësaj, u zhvilluan edhe dy vizita: njëra në Qendrën e Telemjekësisë dhe tjetra në kompaninë “Jaha Solar”, me ç’rast vajzat u njohën me sfidat e femrave në profesionet tradicionalisht të dominuara nga meshkujt.